At Vatra Boston, our activities are designed to preserve Albanian culture, strengthen community bonds, and promote unity among generations. Through cultural events, historical commemorations, educational programs, humanitarian initiatives, and youth engagement, we create meaningful experiences that connect our community and honor our shared heritage.
Në këto ditë festive, dega e Federatës Panshqiptare “VATRA” në Boston organizoi një bashkëbisedim me Prof. as. Dr. Jonela Spaho, Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin e Korçës, për jetën dhe veprën e Kristo Floqit, një nga figurat më të shquara të historisë kombëtare shqiptare.
Takimin e hapi kryetari i VATRES dega në Boston, z.Mentor Maksutaj, I cili në fjalën e tij theksoi rolin e Kristo Floqit në krijimin e VATRA-s, së bashku me personalitetet e tjera themeluese. Më pas, moderatorja e këtij takimi, znj. Elisabeta Andrea, ftoi të pranishmit të shohin një dokumentar për Kristo Floqin.
Dokumentari solli detaje mbi jetën dhe veprimtarinë e Floqit: lindur në Korçë në vitin 1872, ai vijoi studimet në Greqi, punoi si avokat dhe më pas drejtoi gazetën “Dielli” në Boston. Floqi ishte një orator i shkëlqyer, themelues i shoqërisë kishtare të Bostonit dhe më pas nxori gazetën “Zëri i Popullit” në New York. Ai mbajti poste të rëndësishme në qeverinë shqiptare, duke përfshirë ministrinë e Arsimit dhe Punëve Botore, dhe kundërshtoi monarkinë e Zogut, duke dhënë dorëheqjen nga detyrat parlamentare. Floqi shkroi letërsi, komedi, poezi dhe krijoi fjalorin e parë shqip me terma juridikë.
Pas dokumentarit, Prof. Spaho mbajti referatin kryesor, duke theksuar aktivitetin e gjerë të Floqit si themelues i VATRA-s dhe i gazetës “Dielli”, si dramaturg, poet dhe erudit. Ajo prezantoi botimet studimore mbi jetën dhe veprën e tij dhe të autorëve të tjerë të njohur si Mihal Grameno, Filip Postoli dhe Ilo Mitkë Qafëzezi.
Nga salla u bënë pyetje interesante, që theksuan karizmën dhe aftësitë e Floqit si orator! Andrea Pani, anëtar i kryesisë së VATRA-s, i dhuroi libërin “At e Bir për Mëmëdhen” e shkruar nga Sotir Pani, për Prof. Spahon në kujtim të lidhjes ndërbreznore.
Aktori dhe producenti z.Erand Sojli recitoi poezi të Floqit përmes lidhjes online, ndërsa këngët korçare u interpretuan drejtpërdrejt nga të pranishmit. Në ekran u shfaq edhe këngëtari Devis Xherahu me një video-mesazh ku këndonte një serenatë me tekst të Kristo Floqit.
Përmes video-lidhjes, takimin e përshëndeti edhe z.Eris Rusi, djali i poetit Skënder Rusi nga Korça, i cili vlerësoi punën e Prof. Spaho dhe kontributin e Kristo Floqit. Gjithashtu këtë event e përshëndeti edhe z.Ilia Shyta autor i antologjisë për Floqin!
Në mbyllje, hirësia e tij Peshkop Thefan Koja i Kishës “Shën Trinia” në jug të Bostonit premtoi ngritjen e një fondi special me libra ku figura e Kristo Floqit do të jetë e përfaqësuar, duke i dhënë një dimension të përhershëm këtij takimi dhe përkujtimit të një prej figurave më të ndritura shqiptare.
Bashkëbisedimi përfundoi me një sesion pyetje-përgjigje nga komuniteti shqiptar i pranishëm në salën e Kishës shqiptare të “Shën Trinisë”! Takimi u mbyll me përshëndetje she autografe të librave nga profesoresha Spaho.