VATRA në Boston ishte pjesë e eventit të organizuar nga Albanian Student Association pranë Harvard University, ku në Center for European Studies u zhvillua një diskutim dhe prezantim nga Ambasadori Blerim Reka i Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.
Tema e diskutimit ishte: “Republika e Kosovës, një histori suksesi e një shteti demokratik”
(“Republic of Kosovo, a successful democratic nation-building story”).
Gjatë takimit pati diskutime mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe pozicionin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve ndërkombëtare. U prekën gjithashtu aspektet historike të popullit shqiptar, sakrificat dhe padrejtësitë që i janë bërë shqiptarëve dhe Kosovës ndër shekuj.
Pas takimit në Harvard, ambasadori së bashku me ekipin e tij u takuan me z. Mentor Maksutaj, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare VATRA në Boston, në ambientet e Kishës së Shën Gjergjit dhe më pas në varrezat ku prehet trupi i Fan S. Nolit dhe memoriali Konicës.
Gjatë këtyre vizitave u diskutua më gjerësisht dhe me detaje mbi punën e VATRËS dhe rëndësinë e saj në Boston dhe në SHBA. U theksuan sakrificat e shqiptarëve atdhedashës për të ruajtur gjuhën, historinë dhe për të bërë çmos për atdheun.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, z. Reka, së bashku me kryetarin z. Maksutaj, vizituan edhe biznesin e Arjan Hysenajt, i cili është një nga shumë biznesmenët shqiptarë që kontribuon prej vitesh për komunitetin shqiptar në Boston e më gjerë.